Ambasadori Rokas, kryetares Ademi ia dorëzoi Raportin e BE-së: Aktivitetet e Gjykatës Supreme sërish të vlerësuara pozitivisht
ActionsLajm
- Shtëpi
- >
- Lajm
Ambasadori Rokas, kryetares Ademi ia dorëzoi Raportin e BE-së: Aktivitetet e Gjykatës Supreme sërish të vlerësuara pozitivisht
Në Raport vlerësohen aktivitetet e Gjykatës Supreme për avancimin e praktikës gjyqësore dhe konsistencën e vendimeve gjyqësore, publikimi i Përmbledhjes së re të vendimeve gjyqësore, miratimi i qëndrimeve parimore, dhe për vendimet e gjykatës lidhur me çështje me interes të lartë publik dhe mbrojtjen e ligjshmërisë.
Në pjesën e pavarësisë së gjyqësorit Raporti i referohet edhe procedurës për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Supreme, të ngritur për shkak të deklaratave publike për ndikimet e jashtme politike në punën e gjykatës, e cila u ndalua.
Gjithashtu, në Raport vlerësohen edhe ndryshimet e rregullave për publikun në Seancën e përgjithshme dhe avancimin e transparencës dhe angazhimet dhe aktivitetet e Gjykatës Supreme për mbrojtjen e mjedisit jetësor nëpërmjet diskutimit për qëndrimin parimor si kontribut konkret në mbrojtjen e shëndetit dhe pengimin e ndotjes së ajrit.
Ambasadori Rokas në fjalimin e tij para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i sqaroi konstatimet kyçe dhe rekomandimet në Raportin e Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me sundimin e të drejtës, duke iu referuar aktiviteteve të Gjykatës Supreme.
Ambasadori theksoi rëndësinë e sundimit të së drejtës dhe zbatimin e reformave të nevojshme, duke shtuar se me rëndësi thelbësore është përkushtimi në zbatimin e tyre.
Kryetarja Ademi, tha se Raporti i BE-së ka rëndësi të veçantë për Gjykatën Supreme për shkak të përkushtimit të sinqertë ndaj plotësimit të standardeve evropiane.
„Raporti i Bashkimit Evropian për ne paraqet motivim të vërtetë. Rekomandimet për gjyqësorin janë këshilla miqësore. Unë veçanërisht jam mirënjohëse për vlerësimet pozitive për Gjykatën Supreme. Do të vazhdojmë me plotësimin e standardeve evropiane të cilat janë për mbrojtjen e sundimit të së drejtës”, tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.